Një miku tim iu nda nga jeta një familjar. Ai jetonte jashtë Kosovës, në një shtet evropian, ku kishte ndërtuar jetën dhe familjen e tij. Rrënjët, megjithatë, i kishte këtu. Familja e tij ishte e shpërndarë, një pjesë në Prizren, një pjesë në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, e të tjerë anekënd Evropës.
Ditën e varrimit binte një shi i lehtë.
Sipas traditës sonë familjare, gratë zakonisht nuk marrin pjesë në varreza. Por këtë herë ishte ndryshe. Kishin ardhur nga Evropa, nga Mali i Zi, nga Shqipëria… nga kudo ku i kishte shpërndarë jeta. Burra e gra, të veshur me dinjitet, për të nderuar kujtimin e të ndjerit dhe për t’i qëndruar pranë familjes në dhimbje.
Dhe pikërisht aty filloi zhgënjimi.
Për të arritur te vendi i varrimit, duhej të shkelje mbi qindra varre të tjera. Të ecje mbi kujtimet e dikujt tjetër. Baltë, ujë, rrëmujë, një katrahurë që të turpëronte. Nën shiun e lehtë, këpucët fundosen në baltë, ndërsa fytyrat e atyre që kishin ardhur nga larg mbeteshin të ngrira, jo vetëm nga dhimbja, por nga habia. Me bisht të syrit i shihja, nuk flisnin, por pyetja lexohej qartë në sytë e tyre. A është ky “qyteti i kulturës”, Prizreni?
Në një ditë kur duhet të mbretërojë qetësia, respekti dhe solemniteti, ne ofrojmë kaos dhe mungesë dinjiteti. Në një moment kur familja ka nevojë për mbështetje, ne e rëndojmë plagën me papërgjegjësi institucionale dhe neglizhencë.
Kjo nuk është thjesht një çështje infrastrukture. Është një çështje ndërgjegjeje.
Dinjiteti i të ndjerëve dhe respekti ndaj familjeve të tyre janë themeli i çdo shoqërie të drejtë, humane dhe të ndershme. Mënyra si i përcjellim të vdekurit tregon shumë për mënyrën si e trajtojmë jetën.
Ajo pamje në baltë ishte një kujtesë e dhimbshme se sa shumë kemi për të reflektuar.
Shkruan: Blerim SARAMATI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online













































