Turne me katër skuadra joeuropiane, ja ku mund t’i luajë Shqipëria miqësoret e muajit mars

0
232

Pasi dy pistat e Zvicrës dhe Turqisë kanë rënë për momentin, Kombëtarja shqiptare mund të përfundojë në Algjeri për të zhvilluar ndeshje miqësore në muajin mars.

Bëhet fjalë për dy takime miqësore dhe me kombëtare joeuropiane. Pjesë e këtij turneu me katër ekipe, flitet se do të jetë Algjeria që do të presë të gjitha ndeshjet, Afrika e Jugut, Bolivia, si edhe Shqipëria.

Me kombëtaren algjeriane, Shqipëria është ndeshur dhe dy herë të tjera, në takime miqësore të vitit 1964 dhe 1976, një barazim dhe një fitore. Ndërkohë me Afrikën e Jugut dhe Bolivinë nuk jemi përballur asnjëherë në historinë tonë.

TURNEU- Shqipëria do të nisë përgatitjet e para në muajin mars, aty ku datat e FIFA-s e lejojnë që të zhvillojë ndeshje miqësore.

Fillimisht në media u përfol për dy takime, me Turqinë dhe Zvicrën, por këto pista u zbehën për shkak se të dyja kombëtaret kishin axhendën e tyre dhe nuk u gjet gjuha e përbashkët mes dy federatave.

Kështu FSHF-ja vijoi punën për të gjetur kundërshtarë të tjerë. Sipas mediave algjeriane, ka qarkulluar një lajm ku thuhet se në muajin mars do të organizohet një turne me katër skuadra, i cili do të mbahet në Algjeri. Ky shtet ka infrastrukturën e duhur për të pritur një turne të tillë, pasi edhe stadiumet janë të një kapaciteti të lartë dhe modern.

Katër kombëtare gjithsej: Shqipëria, Algjeria, Afrika e Jugut dhe Bolivia. Dy ndeshje për çdo kombëtare me një short të hedhur ku caktohen përballjet dhe fituesit kalojnë në finale, ndërsa humbësit luajnë një takim me tyre për vendin e tretë dhe të katërt.

Dy ndeshje këto që mund të vlejnë shumë për stafin e Kombëtares shqiptare që do të punojë edhe njëherë nga afër me të gjithë futbollistët aktualë, apo edhe ndonjë emër të ri që mund të afrohet, përpara Europianit 2024. Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare dhe të konfirmuar nga FSHF, edhe pse në rrjetin social “X”, në mediat algjeriane qarkullon ky lajm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here