Truri ha veten kur vrapojmë në një maratonë

0
57

Krahas një sëre ndikimesh fizike që një maratonë mund të ketë mbi trupin e njeriut, një studim i ri zbulon se gjatë vrapimit në garën 42.2 kilometra, trupi mund të fillojë të konsumojë vetë trurin.

Edhe pse kjo tingëllon shqetësuese, efektet që maratona ka mbi trurin janë të kthyeshme dhe zakonisht truri i kthehet gjendjes normale për rreth dy muaj. Nga ky studim, shkencëtarët shpresojnë të kuptojnë se si truri është në gjendje të riparohet kaq shpejt dhe ndoshta ta përdorin këtë njohuri për të trajtuar sëmundje të tjera, si skleroza e shumëfishtë (MS).

Truri i njeriut përmban mielinë, një substancë yndyrore që mbron neuronet. Mielina vepron si një izolues që ndihmon në transmetimin e impulseve elektrike mes neuroneve në mënyrë të sigurt dhe efikase. Sipas një studimi të ri të botuar në NatureMetabolism, mielina gjithashtu mund të përdoret si burim energjie gjatë kushteve ekstreme metabolike.

Gjatë një maratone, si me çdo ushtrim të gjatë, trupi zakonisht mbështetet te rezervat e tij të energjisë, zakonisht karbohidrate si glikogjeni në muskuj. Por, kur këto rezerva mbarojnë, trupi fillon të përdorë yndyrnat, përfshirë, sipas studimit, edhe mielinën yndyrore në tru.

Autorët e studimit nga UPV/EHU, CIC biomaGUNE dhe IIS Biobizkaia zbuluan se vrapuesit e maratonës kishin ulje të niveleve të mielinës në disa zona të trurit pas përfundimit të garës. Megjithatë, nivelet e mielinës riktheheshin në normale pas dy muajsh.

Përmes rezonancës magnetike (MRI), ekipi analizoi trurin e vrapuesve 48 orë para garës, dy javë pas saj, dhe më pas dy muaj më vonë.

Përmes imazheve, ata analizuan ujin e mielinës në tru, një tregues i tërthortë i pranishmërisë së mielinës, dhe vëzhguan “një reduktim të përmbajtjes së mielinës në 12 zona të trurit të bardhë që lidhen me koordinimin motorik, integrimin ndijor dhe emocional,” tha Carlos Matute, profesor i Anatomisë dhe Embriologjisë Njerëzore në UPV/EHU dhe studiues në IIS Biobizkaia, në një deklaratë për shtyp.

Sipas Pedro Ramos-Cabrer, profesor kërkimor në CIC biomaGUNE, rezultatet dy javë pas garës treguan se “përqendrimi i mielinës ishte rritur ndjeshëm, por nuk kishte arritur ende nivelet para garës.”

Pas dy muajsh, ekipi konfirmoi se mielina ishte rikthyer në nivelin fillestar.

Edhe pse mund të duket tronditëse që trupi konsumon një mbrojtës të vlefshëm të trurit, zbulimi më i jashtëzakonshëm është se si mielina arrin të rikuperohet kaq shpejt. Ky zbulim ngjall shpresë për të zhvilluar trajtime më të mira për sëmundjet demielinizuese, si skleroza e shumëfishtë.

“Të kuptuarit e mekanizmit të rikuperimit të shpejtë të mielinëstek vrapuesit mund të ofrojë të dhëna për zhvillimin e trajtimeve për sëmundjet demielinizuese, si skleroza e shumëfishtë, ku zhdukja e mielinës dhe energjisë që ajo ofron shkakton dëmtime strukturore dhe degjenerim,” tha Matute.

Autorët e studimit theksojnë gjithashtu se gjetjet e tyre nuk do të thonë se duhet të heqësh dorë nga vrapimi i maratonave, pasi ushtrimet fizike kanë përfitime të shumta për trupin. Megjithatë, personat me sëmundje demielinizuese mund të duhet t’i shmangin, pasi mund të kenë më shumë dëme sesa përfitime. / Real Clear Science

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here