Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ka urdhëruar dy nëndetëse bërthamore të “pozicionohen në rajone të përshtatshme” në reagim ndaj komenteve “shumë provokuese” të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, raporton “BBC”.
Në postimin e tij në rrjete sociale, Trump, tha se ka vepruar në rast se “deklaratat budallallëqe dhe nxitëse janë më tepër se kaq”.
“Fjalët janë shumë të rëndësishme, dhe shpesh mund të dërgojnë në pasoja të paqëllimshme. Shpresoj se ky nuk do të jetë një nga ato raste”, ka shkruar Trump.
Ai nuk ka treguar se ku do të pozicionohen dy nëndetëset.
Medvedev ka postuar disa komente në ditët e fundit duke kërcënuar SHBA-në në reagim ndaj ultimatumit të Trumpit që Moska të pajtohet për një armëpushim në Ukrainë apo të përballet me sanksione të ashpra.
Në postimin në “Truth Social”, Trump shkroi: “Bazuar në deklaratat shumë provokative të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, që tash është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, kam urdhëruar dy nëndetëse nukleare të pozicionohen në rajone të përstatshme”.
Të hënën, Medvedev ka akuzuar Trumpin se po luan “lojën e ultimatumit me Rusinë”.
Në postim në platformën “X”, ish-presidenti rus tha se “çdo ultimatum i ri është kërcënim dhe hap drejt luftës”.
Muajin e kaluar, Medvedev e përshkroi ultimatumin e Trupit si “shfaqje teatrale”, ndërsa tha se “Rusia nuk shqetësohet”.
Ndërsa në një postim në “Telegram”, Medvedev paralajmëroi për një kërcënim “të dorës së vdekur” – të cilin analistët ushtarakë e kuptuan si një referencë ndaj emrit të koduar të sistemit të kontrollit të Rusisë të sulmeve hakmarrëse bërthamore.
Medvedev, që aktualisht është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, ka paralajmëruar Trumpin të enjten që të mbajë në mend se Moska ka aftësi të nukleare të kohës ish-Sovjetike si zgjidhje të fundit.
