Trump nga Zyra Ovale: Një mik në Serbi më tha se do të futeshin përsëri në luftë me Kosovën, ne e ndaluam

0
276

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një konference nga Zyra Ovale ka thënë se Administrata e tij në pak muaj arriti të bëjë paqe mes disa popujve, duke përmendur në këtë mes edhe Kosovën e Serbinë.

Trump tha se Serbia ishte gati të futej në luftë “me një grup” dhe shtoi se një mik i tij i ka thënë se do të futeshin përsëri në luftë me Kosovën, por se kjo s’ndodhi për shkak se “ne e ndaluam”.

“Ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Brenda vetëm disa muajve, kemi arritur paqe mes Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, si dhe disa të tjerëve gjithashtu. Serbia, e dini, ishte gati të futej në luftë me një grup. Nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi – arritëm ta ndalojmë. Por kam një mik në Serbi, dhe ai më tha: “Do të futemi përsëri në luftë”. Dhe nuk dua të përmend që është Kosova, por është Kosova. Ata do të nisnin një luftë të madhe, por ne e ndaluam. E ndaluam për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. Unë u thashë: ne nuk bëjmë tregti me njerëz që hyjnë në luftë”, ka thënë Trump, raporton Gazeta Express.

https://www.facebook.com/watch/?v=1073590481378987

Për këtë temë Trump ka folur edhe gjatë një konference për media më 27 qershor, duke thënë se ka kërcënuar Serbinë me ndalje të tregtisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kishte rrezik që shteti serb ta sulmonte Kosovën dhe të ndodhte një “luftë e madhe”.

“Kemi bërë shumë punë. Nuk e di nëse ka ndonjë president që ka punuar më shumë se unë. Serbia, Kosova, do të shkonin drejt saj, do të ishte një luftë e madhe. Unë thash që nëse ndodh kjo, ju nuk do të bëni tregti me SHBA-në. Dhe ata thanë që, shiko, ndoshta nuk do të shkojmë drejt asaj. Kjo ndodhi edhe me Indinë dhe Pakistanin”, ka thënë ai.

Trump së fundi ka përmendur disa herë Kosovën e Serbinë me pretendimin që ka ndalë konfliktin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here