Punëtorët kosovarë që deri tani detyrimisht kanë “ulur’ kokën të punojnë sipas diktateve të punëdhënësit, pas liberalizimit të vizave, pa një pa dy mund t’i thonë lamtumirën, sepse, do t’iu krijohen mundësitë reale që ta provojnë të punojnë, qoftë edhe përkohësisht, në secilin vend të Europës Perëndimore.
Dhe, mos të gënjehet ndokush nga punëdhënësit se me lehtësi dhe me kosto të lirë mund të zëvendësohen punëtorët “ikanak”. Nëse ndonjë pronari privat i shkon ndërmend se do të kompenzojë lehtësisht mungesën e punëtorëve kosovarë me punëtorë nga Lindja e Largët, nga Pakistani e Bangladeshi, Turqia e nga vende të tjera, e kanë gabim, sepse, në çfarëdo kushtesh të angazhimit të punëtorëve nga këto vende, punëtorët “e importuar” do të kushtojnë më shumë.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha së fundi për medien e vendit, se kompanitë private në vend kanë mungesë të theksuar të punëtorëve të kualifikuar. Ai përmendi edhe shifra konkrete të ‘ikanakëve”, duke shtuar se “ikja e të rinjve mbetet shqetësim për ta ngase që nga viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën”.