Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka prezantuar sot raportin e punës së tij dhe ekipit të tij për 100 ditët e para të qeverisjes.
Në raport thuhet se Totaj ka emëruar në kabinetin e tij të drejtorëve njerëz profesional, të cilët nuk kanë probleme me ligjin dhe të gatshëm për të punuar për Prizrenin.
Totaj ka spikatur edhe emërimin e pesë femrave në drejtori të ndryshme, duke e cilësuar si një sukses për qeverisjen e tij dhe të Prizrenit në përgjithësi. Derisa, ka përmendur hapjen e plotë të tij përballë të gjitha grupeve shoqërore, kulturore, sportive e politike, duke dëshmuar transparencë, llogaridhënie, çasje proaktive, punë efiçente dhe çasje të plotë në media.
Si rrjedhojë, Totaj ka përmendur pritjen e shumë vizitorëve, duke përmendur ambasador, zëvendësambasador, përfaqësues të OSCE-së, BE-së, kryetar të komunave të Kosovës, përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës, kryetar komunash nga Shqipëria.
Në raport Totaj ka bërë me dije se janë ndaluar projektet brenda Qendrës Historike të cilat kanë qenë në mospërputhshmëri me Ligjin për Mbrojtjen e Zonës Historike në Prizren.
Siç thuhet në raport, Totaj, brenda 100 ditëve të qeverisjes së tij ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkiva në Republikën e Shqipërisë, K.R.U “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, Concordia – projekte sociale, ShHBK “Nëna Terezë” në Prishtinë, Fondacioni “Terre Des Hommes” në Kosovë, GIZ, e të tjera.
Për më shumë detale rreth raportit të punës së kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe kabinetit të tij, mund të lexoni duke klikuar në linkun si më poshtë./04 Online