Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka thënë se thënë se brenda një javë do t’i emëroj drejtorët e rinj komunal.
I pari i Prizrenit në një prononcim për Indeksonline ka treguar se çka po ndodhë me koalicionin e mundshëm me LDK-në në këtë komunë dhe sa drejtori do t’i kenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
“Maksimumi brenda një jave e përfundojmë. Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës na ka mbet edhe njëherë me u konsultu me ta, por ata nuk po duan të hyjnë në koalicion me ne”, ka thënë Totaj për Indeksonline.
Më tutje, ai ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara para balotazhit do të respektohen. AAK e Nisma, Totaj ka bërë me dije se do t’i kenë secila prej tyre nga tri drejtori.
“Dy koalicionet që kemi pasur para balotazhit do të jenë pjesë e qeverisjes, na ka mbet me bisedu me minoritetet dhe brenda javës e përfundojmë. AAK e Nisma do t’i kenë nga 3 drejtori. Ndërsa, AKR nuk ka drejtori”, ka theksuar Totaj.
Kujtojmë se kryesuese e Kuvendit Komunal është zgjedhur Antigona Bytyqi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. /Indeksonline/