Tirana mirëpret sot Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për Ministerialin që do të mbahet në kuadër të Samitit të Berlinit.
Do të jenë 24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit që do të jenë të pranishme në këtë Ministerial, i cili do të drejtohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Në Ministerialin e sotëm, do të jenë të pranishëm gjithashtu edhe Komisioneri për Zgjerimin i KE, Përfaqësuesja e EAS, Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.
Sakaq, sikurse u njoftua një ditë më parë nga MEPJ, temat kyçe të cilat do të marrin vëmendje në këtë Ministerial do të jenë integrimi europian i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, forcimi i dimensionit rajonal, regu i përbashkët rajonal e përforcimi i marrëdhënieve mes shteteve.
Pas përfundimit të Ministerialit, Ministri Hasani, Ministrja e Jashtme gjermane dhe Komisioneri për zgjerimin i KE-së, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku mësohet se situata mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë në qendër të fjalës së tyre.
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit u prezantua në 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.