Theo Hernandez do të largohet përfundimisht nga AC Milan, duke i dhënë fund një kapitulli pesëvjeçar në “San Siro”. Mbrojtësi i majtë francez ka arritur marrëveshje me një klub nga Arabia Saudite, pjesë e Saudi Pro League, ku pritet të vazhdojë karrierën, shkruan 04 Online.
Sipas burimeve të afërta me klubin, Milani ka gjetur akordin me ekipin arab, ndërsa marrëveshja me futbollistin ishte arritur më herët. Nga ky transferim, kuqezinjtë do të arkëtojnë 25 milionë euro.
Ky është një përforcim i madh për trajnerin Simone Inzaghi, i cili do të ketë në dispozicion një mbrojtës të fuqishëm dhe me përvojë në krahun e majtë.
27-vjeçari ishte bashkuar me Milanin në vitin 2019, duke qenë për një periudhë ndër mbrojtësit më të mirë të majtë në botë. Megjithatë, vitet e fundit shënuan një rënie në formë, përfshirë probleme me disiplinën dhe marrëdhëniet me trajnerët.
Me largimin e tij, drejtuesit e Milanit tashmë janë në kërkim të një zëvendësuesi të denjë për krahun e majtë të mbrojtjes. Zyrtarizimi i transferimit të Theo Hernandez pritet të ndodhë shumë shpejt./04 Online