Borussia Dortmund arriti një fitore të madhe në “San Siro” përballë Milanit. Nënkampionët e Gjermanisë triumfuan 1-3 kundër kuqezinjve të Stefano Piolit, duke u gjetur suksesin në stadiumin mitik pas plot 20 vitesh. Por njëkohësisht edhe kualifikimin.
Verdhezinjtë presin PSG-në në “Signal Iduna Park” në takimin e fundit në grupin F, aty ku mjafton një pikë për të siguruar kalimin në raundin e 1/8-ve si forcë e parë.
Ndërkohë që Milani duhet të fitojë në Angli kundër Newcastle dhe të shpresojë te suksesi i Dortmundit me kampionët e Francës për të vijuar rrugëtimin në Champions League.
Trajneri i verdhezinjve, Edin Terzic nuk e fsheh lumturinë për fitoren në Milano, ndërkohë që premton se djemtë e tij do të tentojnë tri pikët edhe përballë skuadrës së Luis Enriques.
“Djemtë ishin të lodhur, u konsumuan shumë fizikisht, por ata janë shumë të lumtur dhe të kënaqur për arritjen e kualifikimit. Të gjithëve na kujtohet mbrëmja e shortit kur po flitnim për këtë ‘grup vdekjeje’.
Nuk e harrojmë kur na thanë se nuk kishim asnjë shans për t’u kualifikuar pas humbjes me PSG-në dhe barazimit në shtëpi me Milanin në dy takimet e para… Milani gjithashtu kishte nevojë të fitonte, por ne treguam më shumë dëshirë për sukses.
Të gjithë ndeshjet e këtij grupi kanë qenë të beteja, duele shumë të luftuara. Milani e kishte ndeshjen nën kontroll për pjesën më të madhe të kohës, por ne ishim gjithmonë të rrezikshëm.
PSG? Nuk duam të bëjmë asnjë dallim mes ndeshjeve të ndryshme: do të luajmë për të fituar. Nuk duam t’u dhurojmë asgjë PSG-së, Newcastle dhe Milanit. Do të vijnë 80 mijë njerëz në stadium dhe ne mund të sigurojmë vendin e parë.
Kështu që do të japim gjithçka. Unë jam gjithmonë shumë i motivuar”, u shpreh tekniku 41-vjeçar me origjinë nga Kroacia./SS