Tentoi të kalojë kordonin policor në objektin e Komunës së Prizrenit – I bie telefoni, marihuana dhe peshorja – Policia në kërkim të të dyshuarit

0
76
Foto: Ilustrim

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në afërsi të ndërtesës së Kuvendit Komunal të Prizrenit, ku një person i dyshuar është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, duke i rënë nga xhepi dëshmi të qarta që ndërlidhen me veprën penale të narkotikëve.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rreth orës 21:30, patrulla e Stacionit Policor në Prizren ndodhej në rrugën “Remzi Ademaj”, në kuadër të sigurimit të perimetrit pas një rasti të zjarrvënies në objektin e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Gjatë patrullimit, një person i paidentifikuar, i ri në moshë, i veshur me maicë të verdhë dhe trenerka ngjyrë hiri, është afruar te kordoni policor. Kur një zyrtar policor i ka kërkuar të ndalet, i dyshuari është vërsulur me vrap, duke kaluar me kërcim nga oborri i komunës në atë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale – Departamenti për Pensionistë.

Gjatë ikjes, nga xhepi i tij kanë rënë: Një (1) telefon mobil, dy (2) qese të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 7.06 gram dhe një peshore elektronike e dorës.

Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes nga njësia e Forenzikës, e cila ndodhej aty për rastin e zjarrvënies në objektin e komunës. Dëshmitë janë dorëzuar te hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), të cilët tashmë kanë nisur hetimet.

Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin dhe ka dhënë urdhër që të procedohet me rast hetimor ndaj personit të panjohur, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

Njësia DHTN në Prizren ka marrë përsipër hetimin për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Sinjali do t’ju mbajë të informuar me çdo zhvillim të ri./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here