Tentoi të grabiste Western Union në Prizren me armë – I dyshuari kapet pas 24 orësh, dorëzon provat

0
258

Një tentativë grabitjeje me armë ka ndodhur mëngjesin e 28 majit 2025, në rrugën “Vesli Klark” në Prizren, ku një person i maskuar ka hyrë në zyrën e Western Union dhe ka tentuar të marrë para nën kërcënimin e armës.

Burime të Sinjalit konfirmojnë se rreth orës 08:00, një person i veshur me të zeza, me kapelë dhe maskë, ka hyrë në ambientet e Western Union dhe me një pistoletë në dorë (lloji i panjohur në atë kohë), i është drejtuar punonjëses, B.A.R., 19 vjeçar, duke i kërkuar: “Qiti të hollat.”

Punëtorja nuk i ka dorëzuar asnjë shumë, dhe i dyshuari është larguar me biçikletë të bardhë, pa arritur të përfundojë grabitjen.

Pas angazhimit të njësisë së hetimeve dhe krim-teknikës, më 29 maj, rreth orës 18:00, është identifikuar dhe kërkuar i dyshuari: Artist Skeraj, 21 vjeçar, por në shtëpinë e tij nuk është hasur.

Më vonë, rreth orës 23:20, në rrugën “Ibrahim Rugova”, një njësi patrulluese ka lokalizuar dhe arrestuar Skerajn, duke e shoqëruar në stacionin policor.

Në prani të prokurorit të krimeve të rënda, hetuesit kanë bastisur banesën e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar provat materiale: një armë lodër (e ngjashme me armë zjarri), një duks me kapelë, maskë për fytyrën dhe kokën, dhe një palë patika, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë veprës penale.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar veprën penale.

Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here