Tensioni i lartë: Ilaçet më mirë ti pini në mbrëmje

0
62

Për të ulur tensionin e lartë të gjakut nuk mjafton të rrisësh dozën apo numrin e ilaçeve që duhen marrë: në shumë raste është e mjaftueshme t’i marrësh në momentin e duhur, d.m.th. para se të shtrihesh për të fjetur.

Në këtë mënyrë mund të mbahen më mirë nën kontroll vlerat maksimale dhe minimale, por mbi të gjitha mund të reduktohet në mënyrë shumë të dukshme rreziku i infarktit dhe iktusit.

Të dhënat më të fundit, të publikuara pak javë më parë në “Journal of the American Society of Nephrology”, u referohet më shumë se 660 personave me insuficensë renale kronike, të studiuara nga grupi “Ramòn C. Hermida” i laboratorëve të bioinxhinierisë dhe kronobiologjisë të Universitetit të Vigos në Spanjë: duke nisur nga kushtet fillestare, atyre të cilëve iu rekomandua të merrnin të paktën një pilulë të dhënë nga mjeku në darkë në vend që ta pinin atë në mëngjes, patën në vitet në vazhdim një reduktim me rreth 70 për qind të sëmundjeve kardiovaskulare të rënda. Jo vetëm infarktet dhe iktuset, por edhe të tjera patologji të lidhura me zemrën.

Efektet mbi shëndetin
Efekti mbi shëndetin varej nga kontrolli i vazhdueshëm i tensionit, i matur kryesisht në mbrëmje: për çdo rënie prej 5 mmHg të presionit sisitolik, vihej re mesatarisht një reduktim prej 14 për qind të rrezikut kardiovaskular. Dihet se presioni arterior ndjek një ritëm të tillë: me një ulje gjatë çlodhjes së natës, dhe pikun para zgjimit. “Për këtë arsye shpesh të vjen të mendosh se ilaçi duhet pirë herët në mëngjes, kur tensioni është fiziologjikisht më i lartë dhe rreziku i infarktit më i madh”, komenton kardiologu Carlo Schweiger. Por Francesco Portaluppi, profesor i mjekësisë së brendshme që bashkëpunon prej vitesh me ekspertin spanjoll, shkon më tej, duke saktësuar: “Nëse kjo vlen për të gjithë, është shumë e vërtetë për atë kategori pacientësh ku nuk vihet re një rënie fiziologjike e tensionit gjatë natës”. Kësaj kategorie i përkasin zakonisht diabetikët apo të sëmurët kronikë me veshka, por ky fenomen mund të lulëzojë me kohën edhe tek ata që vuajnë thjesht nga tensioni i lartë i gjakut. “Përkundrazi, ka persona që vlerat u rriten gjatë gjumit më shumë se sa ditën, kur mund të duken normale”. Ky hipertension i “fshehur” është më i rrezikshëm: një studim, i publikuar nga “Lancet”, është bërë në gjashtë vende të ndryshme në pothuajse 7500 persona për më pak se dhjetë vjet, ka treguar se pasojat më të rëndësishme për sa i takon vdekshmërisë kanë lidhje pikërisht me vlerat e regjistruara gjatë natës. Prej kohësh flitet për “hipertensionin nga këmishat e bardha”, rritja tranzitore e vlerave të tensionit që regjistrohet në ambulancat mjekësore te personat kryesisht emotivë, por që normalizohen me rikthimin në shtëpi. Por janë edhe “të shëndetshmit e rremë”, tensioni i tyre i matur gjatë ditës duket brenda normave, por ngritja gjatë natës vë në rrezik enët e gjakut, zemrën dhe në përgjithësi shëndetin. “Ndonjëherë rreziku i tyre kardiovaskular mund të jetë superior ndaj një personi tjetër që vuan nga tensioni i lartë i gjakut, por që vlerat zbresin normalisht gjatë gjumit”, shton Portaluppi, që është edhe president i shoqërisë ndërkombëtare i kronobiologjisë.

“Janë vlerat gjatë ditës dhe gjatë natës, kur organizmi është më pak i disponueshëm për t’u mbrojtur ato që përcaktojnë dëmtimet e mundshme në organe të ndryshme”. Për këtë arsye “National Institute for Clinical Excellence” në Londër, në udhërrëfyeset e fundit të publikuara verën e kaluar, ka bërë revolucion në kriteret për diagnostikimin e hipertensionit. Një person quhet i tillë, sipas tyre, kur shfaq jo më shumë se tri herë vlera tensioni më të larta se normalja. Atëherë duhet bërë monitorimi i tensionit për të paktën 24 orë. Këshilla për ta pirë ilaçin në darkë dhe jo në mëngjes mund të evitojë rritjen e dozës apo shtimin e një ilaçi të dytë apo të tretë kur kura e mëparshme nuk duket eficente për të kontrolluar presionin. “Efekti pozitiv i marrjes së ilaçeve në darkë të terapisë antihipertension manifestohet edhe te të tjerët, jo vetëm tek ata ku tensioni nuk ulet gjatë natës”, përfundon mjeku Giuseppe Remuzzi. Por nuk duhet të mendojmë se të gjitha ilaçet e japin efektin vetëm në darkë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here