Tensione të mëdha në zhveshtoret e Barcelonës, tre futbollistë nervozohen me Hansi Flick

0
165

Ka qenë një ndeshje e tensionuar për Barcelonën. Shumë e tensionuar. Barça nuk mund të gabonte për të ruajtur avantazhin ndaj Real Madridit, por gjërat nuk shkuan mirë, prandaj ndiheshin më shumë nerva se zakonisht. Tensioni u grumbullua deri në atë pikë sa tre futbollistë shpërthyen kundër trajnerit – diçka që nuk ishte parë këtë sezon.

Ferrán Torres, Ansu Fati dhe Héctor Fort shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre për mosaktivizimin ose zëvendësimin, duke e kthyer menaxhimin e dhomës së zhveshjes në një detyrë gjithnjë e më të vështirë në këtë fazë vendimtare të sezonit.

Futbollistët e Barçës janë të motivuar. Të gjithë duan të luajnë, por Flick e ka shumë të qartë formacionin e tij bazë, dhe rotacionet po lënë jashtë një grup prej pesë apo gjashtë lojtarësh që pothuajse nuk luajnë fare. Dy prej tyre patën përplasje pas ndeshjes. Ansu Fati goditi një frigorifer afër stolit dhe hodhi jelekun e zëvendësuesit në tokë para stafit teknik, i irrituar që u ngroh gjatë gjithë pjesës së dytë dhe nuk mori asnjë minutë në fushë.

Marrëdhënia mes Ansut dhe Flick është shumë e tensionuar. Dhe kjo sepse rrethi i lojtarit beson se trajneri nuk është sjellë mirë me të. Ata ndihen të tradhtuar që në fillim të sezonit dhe nuk e kuptojnë pse trajneri e ka ekspozuar publikisht lojtarin e akademisë, duke lënë të kuptohet se nuk stërvitej siç duhej. Zemërimi është i madh, pasi Ansu ndihet mirë fizikisht dhe beson se trajneri nuk do t’i japë mundësi.

Tensioni pritet të shpërthejë në fund të sezonit gjatë negociatave për largim, që mund të jenë të komplikuara. Nëse gjërat shkojnë mirë, gjithçka mund të zgjidhet, por Ansu mund të kërkojë të largohet duke mos falur asnjë cent nga kontrata, ndërkohë që klubi nuk është i gatshëm për këtë. Agjenti i tij, Jorge Mendes, do të duhet të veprojë me shumë kujdes dhe diplomaci për të shmangur një konflikt total.

Habiti gjithashtu edhe reagimi i Héctor Fort, një lojtar që pothuajse nuk ka luajtur fare këtë sezon. Flick, që ishte euforik në fund të ndeshjes, po festonte fitoren duke përshëndetur të gjithë lojtarët që i dilnin përpara. Por lojtari i akademisë refuzoi përqafimin. Jo vetëm kaq, por nuk pranoi as kontakt me të, dhe trajneri iu afrua për t’i folur në vesh.

U krijua përshtypja se Flick ose stafi teknik mund t’i kishin premtuar Fort se do të kishte minuta në këtë ndeshje, por rezultati i paparashikuar e ndryshoi planin. Çfarëdo që të ketë ndodhur, është e qartë që Flick nuk llogarit tek ai, dhe për këtë arsye Barça po kërkon një mbrojtës të djathtë në treg që të plotësojë Koundé, i cili luan në çdo ndeshje.

Rasti i fundit ishte ai i Ferrán Torres. Zemërim i madh nga sulmuesi kur u zëvendësua në pjesën e dytë – dhe kjo ndonëse kishte shënuar dhe ishte sulmuesi më aktiv deri në atë moment. Ferrán nuk kuptoi asgjë, nuk përshëndeti Flick, goditi një top në tokë dhe shmangu ndihmëstrajnerin Marcus Sorg kur ky tentoi ta qetësonte.

Në repartin e sulmit, duket se gjithmonë mbizotëron hierarkia e dhomës së zhveshjes dhe tridenti titullar ka shumë peshë. Kur luan Ferrán, zëvendësimi i tij duket i parashikuar, edhe kur nuk e meriton. Në këtë rast, zemërimi kaloi shpejt pas përmbysjes, dhe Ferrán mund të jetë vendimtar në fund të sezonit nëse konfirmohet mungesa e Lewandowskit, i cili mund të mungojë për rreth tre javë.

Flick po përballet me gjithnjë e më shumë probleme brenda dhomës së zhveshjes, në një moment kur ndodhet vetëm pak më shumë se një muaj larg nga mundësia për të fituar tripletën. Tensioni me siguri do të rritet, sepse tani po shfaqen problemet, por trajneri nuk do të lëvizë asnjë centimetër nga idetë e tij dhe e ka shumë të qartë kush është dhe kush nuk është titullar në këtë fazë të sezonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here