Temperaturat maksimale sot nga 39 deri në 44°C

0
101

Pas një dite përvëluese që theu rekordin e temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Kosovë, vala ekstreme e të nxehtit nuk ka ndërmend të ndalet. Të premten, më 25 korrik 2025, Klinë shënoi temperaturën rekord prej 42.5°C, duke e vendosur qytetin në qendër të një moti të pazakontë dhe të rrezikshëm për shëndetin publik, shkruan 04 Online.

Edhe sot pritet një ditë e skajshme për vendin. Paraditja do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët dhe me diell, por pasditja sjell paqëndrueshmëri atmosferike, sidomos në jug të vendit. Parashikohen zhvillime të vrullshme të vranësirave, të cilat mund të sjellin rrebeshe të izoluara shiu me rrufe, ndërsa ajri mbetet i rënduar nga pluhuri saharian, që mund të shkaktojë shi me baltë – një dukuri e shpeshtë në kushte të tilla.

Era do të jetë gjithashtu një faktor shqetësues. Ajo pritet të fryjë me drejtime të ndryshme dhe intensitet të lartë, me shpejtësi nga 20 deri në 60 km/h, veçanërisht në zonat ku zhvillohen vranësirat konvektive.

Temperaturat vazhdojnë të jenë skajshmërisht të larta – minimalet do të lëvizin nga 19 deri në 22°C, ndërsa maksimalet do të ngjiten në 39 deri në 44°C. Kjo mund të sjellë një tjetër thyerje të rekordit të temperaturës historike në Kosovë./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here