Ulja e temperaturave në vendin tonë ka ndikuar shumë edhe në klubet sportive për realizimin e stërvitjeve dhe lojërave.
Ndonëse është renovuar në tërësi Qendra Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, për klubet dhe sportistët që i kryejnë stërvitjet në këtë sallë, ende ka vështirësi.
Siç ka marrë vesh 04 Online, në këtë qendër nuk është duke u lëshuar ngrohja për të krijuar temperaturë dhe klimë të përshtatshme për realizimin e stërvitjeve.
“Nuk kemi kushte për realizimin e stërvitjeve në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”, trajneri nuk po ka çka të bëjë. Disa lojtarë janë ftohur e nuk po vijnë fare në stërvitje. Sa kemi dëgjuar e njëjta gjendje është edhe në klubet tjera që i kryejnë stërvitjet në këtë sallë”, ka thënë në kushte anonimiteti një sportist nga Prizreni.
Një tjetër sportist pothuajse është i gatshëm për ti ndërprerë stërvitjet për shkak të temperaturave të ulëta në këtë sallë. Madje, ai ka bërë me dije se i këtij mendimi janë edhe disa bashkëlojtarë.
“Nëse vazhdon kështu, nuk kemi asnjë arsye për të ardhur këtu për tu stërvitur. Nuk ka kushte, është shumë ftoftë. Disa bashkëlojtarë janë ftohur dhe ka shumë gjasa që ata nuk do të vijnë më në stërvitje për shkak të temperaturave të ulëta”, është shprehur një sportist tjetër nga Prizreni në kushtet anonimiteti.
Muaj më parë QS “Sezai Surroi” është rinovuar, duke u krijuar kushte më të volitshme për sportistët dhe tifozët./04 Online