Temperaturat e larta – Nga sot kufizohet orari i punës për këto tri kategori

0
186
Foto: Ilustrim

Nga sot e deri më 20 korrik, gratë shtatzëna do të lirohen nga puna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në katër orë si dhe ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky vendim erdhi në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave

“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, thuhet në njoftim.

Ministria ka paralajmëruar edhe masa të tjera.

“Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.”

Ndryshe, vala e të nxehtit në vend do të vazhdojë edhe përgjatë kësaj fundjave, sipas “Mendimi për motin”.

Orëve të pasdites përreth zonave malore, me zhvillime më të fuqishme të vranësirave, mund të priten mundësi për ndonjë rrebesh shiu dhe bubullimë. Temperaturat minimale zbresin në 18C e 20C, e ato maksimale shkojnë deri në 35C e 37C, lokalisht 38C.

Vala e të nxehtit, në bazë të trendeve më të fundit, me gjasë do të zgjasë edhe gjatë javës së ardhshme, deri në pjesën e dytë, kur paraqiten tendenca për rënie të temperaturave.

“Nga pjesa e dytë e javës shfaqen sinjale që të kemi zhvillime të rrebesheve dhe bubullima në pjesë malore të vendit, por që mund të përfshinë edhe pjesë të ulëta duke shkuar në fundjavën vijuese. Temperaturat pas një rritje në fillim të javës, deri në 37C e 38C, mund të zbresin në 34C e 35C”, thuhet në njoftim.

Pas datës 22, temperaturat mbesin ende të larta mbi 30C, ndërkohë që edhe sinjalet për të reshura mbesin të pranishme, kryesisht në formë rrebeshesh. Temperaturat minimale, sidomos nga pjesë urbane nuk pritet të zbresin nën 20C, duke regjistruar edhe netë tropike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here