Telekomi i Kosovës: Sërish na janë bllokuar llogaritë nga Përmbaruesi Privat

0
80

Telekomit të Kosovës sërish i janë bllokuar llogaritë nga Përmbaruesi Privat, lidhur me rastin e Z-Mobile.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin e publikuar nga Telekomi, ku thuhet se Menaxhmenti bashkë me Bordin e Drejtorëve, do të analizojnë dhe ndërmarrin të gjithë hapat e mundshëm me qëllim të zhbllokimit sa më të shpejt të llogarive të bllokuara bankare.

“Ky bllokim i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga ana e Përmbaruesit Privat është i bazuar në vendime tërësisht të padrejta, andaj Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të kundërshtojë këto vendime që janë pasojë e një kohe dhe një keq menaxhimi të ndikuar skajshëm nga politika e asaj kohe edhe nga interesa të fuqishme private”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë:

Përmbaruesi Privat bllokon përsëri llogaritë e Telekomit të Kosovës për rastin Z-Mobile

Pas refuzimit të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor që lidhet me arbitrazhin në rastin “Dardafon 2” (Z-Mobile) nga ana e Gjykatës Komerciale, dje, më datë 03.10.2024, Përmbaruesi Privat me të pranuar këtë Aktvendim vetëm brenda një ore, i ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës.

Ky bllokim i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga ana e Përmbaruesit Privat është i bazuar në vendime tërësisht të padrejta, andaj Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të kundërshtojë këto vendime që janë pasojë e një kohe dhe një keq menaxhimi të ndikuar skajshëm nga politika e asaj kohe edhe nga interesa të fuqishme private

Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor.

Edhe pse Telekomi i Kosovës ka bërë kallëzim penal në organet përkatëse të rendit si dhe publikisht në vazhdimësi e ka denoncuar këtë kontratë lidhur me pasojat e shumta negative që e njëjta ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë, për kompaninë nga skemat e organizuara për përfitime të grupeve të caktuara të interesit, fatkeqësisht deri më sot askush nga zyrtarët dhe personat e përfshirë në këtë skemë kriminale nuk ka dhënë llogari para gjykatës.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, që nga sot, bashkë me Bordin e Drejtorëve, do të analizojnë dhe ndërmarr të gjithë hapat e mundshëm me qëllim të zhbllokimit sa më të shpejt të llogarive të bllokuara bankare si dhe do të kujdeset të vazhdojë sigurt procesin e modernizimit të shërbimeve, si dhe të gjitha proceset e tjera të punës dhe biznesit, të cilat po e rikthejnë kompaninë tonë, ngadalë por sigurt, në vendin që i takon si ofruesi i parë i shërbimeve të telekomunikimit në vendin tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here