Dy persona janë plagosur sonte nga të shtënat me armë zjarri që pati sonte rreth orës 22:50 në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë së Prizrenit Shaqir Bytyqi.
Bytyqi tha se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Prizrenit.
“Menjëherë janë angazhuar patrullat policore, të cilat kanë dalë në vendngjarje. Të dyshuarit nuk janë hasur në vendngjarje. Sipas informatave të siguruara në terren, si pasojë e të shtënave kishte edhe persona të plagosur, të cilët ishin dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Sipas ekipit mjekësor, viktimat ( F.T. dhe V.H. nga Prizreni) janë jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor”, deklaroi Bytyqi për Klankosova.tv.
Ai theksoi se në vendngjarje kanë dalë njësite të ndryshme policore, hetuesit kujdestar nga Stacioni Policor Prizren, si dhe hetues nga Sektori Rajonal i Hetimeve, ku janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
“Po ashtu, në emergjencën spitalore janë angazhuar patrulla policore për sigurimin e viktimave gjatë trajtimit mjekësor. Lidhur me rastin janë njoftuar edhe Hetimet Rajonale. Rasti është duke u hetuar dhe policia janë duke punuar në identifikimin dhe arrestim e personave të përfshirë në rast”, theksoi ai.












































