Një rast i rrezikshëm për sigurinë publike është raportuar të dielën pasdite në fshatin Mazrek të Prizrenit, ku është dëgjuar breshëri armësh zjarri.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 17 gusht 2025 rreth orës 17:00, kur Policia ka marrë informacion për të shtëna dhe ka dalë menjëherë në terren. Në një fushë të hapur, patrulla ka gjetur 36 gëzhoja dhe 4 predha të kalibrit të panjohur.
Ngjarjen e ka parë një dëshmitar okular, i cili ka deklaruar se një person i panjohur kishte shtënë disa herë me armë zjarri dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Në lokacion kanë dalë hetuesit kujdestarë dhe ekipi i krim-teknikës, të cilët kanë sekuestruar provat materiale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./Gazeta Sinjali/