Massimiliano Allegri vijon të fitojë në stilin e tij dhe triumfi ndaj Fiorentinës ishte i pesti në gjashtë ndeshjet e fundit për Juventusin (I treti radhazi me shifrat 1-0).
Edhe më domethënëse këto rezultate bëhen kur skuadra në gjashtë sfidat e fundit nuk ka pësuar gol. Megjithatë, tekniku livornez është i pari i cili ul entuziazmin dhe pas suksesit me Fiorentinën në “Artemio Franchi” shprehet se Inter, Milan dhe Napoli janë skuadra më të plotësuara se Juventus dhe si rrjedhojë kanë më shumë shans për titullin.
“Jam i kënaqur për paraqitjen dhe për tre pikët sepse erdhi kundër një skuadre që luajti shumë mirë. Fituam duke vuajtur dhe duke mbrojtur në mënyrë të shkëlqyer. Tani të shohim përpara, por nuk e kam fjalën për titullin. Inter, Milan dhe Napoli kanë një organikë më të plotë dhe janë para Juventusit në ndërtimin e skuadrës.
Inter është vetëm dy pikë përpara, por kjo nuk do të thotë asgjë për ne sepse kampionati është shumë i gjatë. Ne kemi limite, por tani po punojmë mirë dhe kam djem të jashtëzakonshëm. Tani të radhës kemi ndeshjen me Cagliarin, që e ka marrë veten me Ranierin dhe vjen pas tre fitoresh radhazi. Pastaj është edhe ndeshja me Inter që gjithmonë ka një shije të veçantë”, u shpreh Allegri./SS