Një incident i rëndë mes të miturve ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Suharekë, ku një përleshje fizike ka përfunduar me lëndime të rënda trupore. Burime të besueshme nga strukturat hetimore kanë bërë të ditur për Sinjalin se ngjarja është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa një i mitur është ndaluar për 24 orë.
Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur më 3 nëntor 2025, rreth orës 19:00, në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ku tre të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike, gjatë së cilës është përdorur mjet i mprehtë – thikë.
Nga përleshja kanë mbetur të lënduar B.C rreth 17-vjeçar dhe U.C rreth 18-vjeçar, të cilët janë transportuar në Urgjencën e Suharekës për trajtim mjekësor. Për shkak të gjendjes së rënduar, viktima B.C është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku ndodhet nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka shpërthyer për motive të ulëta, ndërsa i dyshuari E.K rreth 17-vjeçar është ndaluar për 24 orë me vendim të Prokurorit Kujdestar për Krime të Rënda.
I dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa njësitë policore dhe forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes për sigurimin e provave materiale.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të përleshjes, që ka tronditur opinionin në qytetin e Suharekës./Gazeta Sinjali/
            













































