Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka treguar se urimin e vetëm që ka marrë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjen si kryeministër, është ai përmes postimit që ka bërë në Facebook.
I pyetur nëse e ka telefonuar Kurti, Xhaferi ka thënë “Nuk më ka marrë në telefon, ai ka zgjedhur këtë mënyrë komunikimi”.
Ai është pyetur edhe për raportimet se Kurti dhe BDI kanë raporte të mira.
“Unë nuk i shoh gjërat kështu. Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ka zgjedhur të më përgëzojë përmes Facebook-ut, ndaj nuk ka arsye që unë t’i lidh marrëdhëniet ndërpartiake me marrëdhëniet ndër-institucionale. Janë dy gjëra të ndryshme”, ka deklaruar ai në një intervistë për DojçeVele.
Për pretendimet e opozitës se BDI’ja ka frikë nga popullariteti i Kurtit, Xhaferi ka thënë se për këtë duhet të flasë struktura drejtuese e BDI’së.
“BDI ka një strukturë drejtuese, duhet të shkoni tek ata që t’ju thonë nëse kanë frikë apo jo”, ka thënë ai.