Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur lidhur me takimin e sotëm që do të zhvillohet në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga i cili ka thënë se nuk pret shumë.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, Krasniqi ka thënë se Kurti dhe Kosova shkon me një pozicion më të dobët në këtë takim, shkaku i sanksioneve që ia ka vendosur Bashkimi Evropian.
“Shkurt dhe qartë, nuk pres shumë nga ky takim. Është dëshmuar deri më tash që zakonisht takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq janë takime ku nuk ka vullnet për të avancuar procesin e dialogut, por më shumë përdoren për populizëm dhe për politikë të brendshme. Fatkeqësisht, kjo nuk e ndihmon perspektivën e Kosovës në momentin kur ne kemi sanksione nga BE. Në fakt, nesër, Kryeministri Kurti, rrjedhimisht edhe Kosova, shkon me një pozicion më të dobët në këtë fazë të dialogut, pikërisht për shkak të sanksioneve të cilat rëndojnë mbi vendin tonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke përmendur edhe deklaratën e Presidentit të Francës, Emanuel Macron, sa i përket liberalizimit të vizave, Krasniqi ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kurti në takimin e nesërm të tregojë maturi, pjekuri dhe përgjegjësi të lartë politike.
“Siç e kemi parë muajve të fundit, paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës kanë qenë të vazhdueshme e me raste edhe shumë konkrete, sikur ai i presidentit Macron për rishikimin e politikave të vizave – nëse Kosova nuk sillet me përgjegjësi në këtë proces. Prandaj, nesër është shumë e rëndësishme për Kosovën që Kryeministri Kurti të tregoj maturi, pjekuri dhe përgjegjësi të lartë politike”, ka thënë tutje ai.
Ai ka folur edhe për deklaratën e Emisarit të ShBA’së, Gabriel Escobar, i cili tha se nuk ka marrë ndonjë zotim konkret nga Kurti për zbatim të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, përveç se do të shkojë në Bruksel.
Krasniqi ka thënë se asnjë nga interesat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës nuk mund të arrihen pa mbështetjen dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne mund të flasim shumë gjatë se çfarë ka arritur Kosova në 24 vitet e fundit me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që nga çlirimi, pavarësia, ushtria, administrata, zhvillimi ekonomik etj. Ashtu siç mund të flasim, po ashtu shumë gjatë, se çfarë Kosova ka humbur në dy vitet e fundit si pasojë e raporteve të tensionuara me ta përmes veprimeve të papërgjegjshme politike”, ka thënë ai në këtë intervistë.
Ai ka përmendur pasojat më të cilat po përballet Kosova shkaku i sanksioneve, derisa ka thënë se askush nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe t’i dalë krah një shteti, “i cili në krye të tij ka udhëheqës institucionalë të papërgjegjshëm.”
“Po i përmend vetëm dy gjëra, të cilat, sipas meje, janë me interes të veçantë: E para: humbja e qindra -miliona eurove në formë të granteve nga BE-ja dhe SHBA-ja për shtetin tonë, ku kanë përfituar të gjitha shtetet e rajonit përveç nesh. Dhe, e dyta, dëmtimi i skajshëm i imazhit të Kosovës, si një shtet i papërgjegjshëm, joserioz dhe destruktiv. Askush nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe t’i dalë krah një shteti, i cili në krye të tij ka udhëheqës institucionalë të papërgjegjshëm”, ka deklaruar Krasniqi.