Takimi i 27 shkurtit me Vuçiqin, Kurti: S’do të flitet për Asociacionin

0
165

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me takimin e 27 shkurtit në nivel të lartë mes tij, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Ai para mediave ka thënë se në takimin e të hënës në Bruksel, nuk do të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurti ka thënë se pret që ndërmjetësuesit e dialogut, t’i përmbahen propozimit evropian dhe të mos fokusohen në interesat e njërës palë.

Ai edhe një herë ka konfirmuar që në takimin me Vuçiqin nisin “përnjëmend” bisedimet për propozimin evropian.

“Pas të hënës do të mund të dimë se çka e kur”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar në uebfaqen e BE-së ku ndër të tjera bëhet e ditur se edhe Kurti edhe Vuçiq tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Siç njoftohet, Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.

“Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.

Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të jetë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar./GS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here