“Tabula rasa” si model “reformues” i partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit

0
79

Partitë politike në Kosovë për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë promovuar në listat për deputetë disa emra të rinj e që nuk kanë qenë kurrë më parë pjesë e jetës parlamentare dhe partiake. Sipas tyre, me këtë akt, ato e kanë dëshmuar vitalitetin e tyre demokratik dhe nevojën për t’iu përshtatur apetiteve të qytetarëve të Kosovës për ndryshime politike. Në mesin e tyre ka edhe emra të njohur të estradës, rrjeteve sociale dhe botës së spektaklit.

Por a mos mund të jetë saktësisht e kundërta? Qe më këtë strategji, drejtuesit e partive politike në vend të promovimit të transformimeve të brendshme synojnë pikërisht ta konservojnë status quo-n aktuale që dominon brenda tyre? Pra qëllimi është vetëm improvizimi i reformave në njërën anë dhe ruajtja e të njëjtës koniunkturë dominuese partiake në anën tjetër. Dhe kjo mund të bëhet më së miri duke rekrutuar individë pa sfond politik e që nuk janë dalluar në opinionin publik paraprakisht me asnjë qëndrim të tyre autentik për proceset politike.

Fatkeqësisht, të kësaj natyre janë shumica(kuptohet ka përjashtime) e emrave që janë prezantuar. Askush nuk ka dëgjuar për qëndrimet që ata i kanë shpalosur gjatë kësaj kohe për disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova. Bie fjala çfarë ndryshimi përfaqëson djali i Shkurte Fejzës, apo këngëtarja Edona Llaloshi? E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që janë promovuar si emra të rinj sa i përket moshës. Sepse të tillët pa një identitet politik mund të më lehtë të manipulohen dhe kontrollohen nga liderishipi i partisë.

Në fund të fundit, edhe studimet mbi rininë kanë treguar se shumica e të rinjve“e kanë pranuar se më me gjasë do të votojnë duke u bazuar në liderin e partisë (rreth 28 %), në krahasim me ideologjinë e partisë, programin zgjedhor të partisë ose koordinimin me familjen dhe miqtë – këto tri përgjigje të ndryshme kapin shifrën rreth 19 %. Gjetje të tilla sugjerojnë se të rinjtë në Kosovë janë kryesisht të painteresuar për t’u angazhuar politikisht në nivelin konceptual dhe ideologjik, dhe kjo reflektohet edhe në procesin e zgjedhjes së partisë së tyre të preferuar politike për të cilën votojnë”. Duke u bazuar në këto konstatime atëherë shihet qartë se edhe ky rekrutim nga kjo kategori më shumë se sa për të inauguruar ndryshime të njëmendja, në të vërtetë është bërë për të plotësuar egon lideriste të drejtueseve partiak.

Përfundimisht, më këto sjellje këta të fundit më shumë kanë dëshmuar se janë tunduar nga promovimi i modelit të “tabula rasa-s” politike, në mënyrë që ta konservojnë pushtetin e tyre partiak, se sa reformat e domosdoshme partiake.

Shkruan: Afrim KASOLLI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here