Szunyog: Në draftstatutin e BE-së janë përfshirë gjitha kërkesat e Kosovës, le të çohet në Kushtetuese

0
153

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova do të mund të përparonte në rrugën drejt BE-së nëse themelon asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ka çështje të caktuara që nëse zbatohen mund të ndihmojnë Kosovën drejt anëtarësimit në BE. Nga perspektiva ime, Asociacioni është çështje që ka mbetur gjatë, por është çështje e Kosovës. Asgjë se ndalon Kosovën ta krijojë Asociacionin, pavarësisht se çfarë bën pala tjetër”.

“Në fakt mendoj se kjo do të zgjidhë një numër të çështjeve të tjera. Në një mënyrë aktualisht do ta ndihmojë Kosovën në aspektin e brendshëm, por edhe do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Szunyog në KTV.

Szunyog ka thënë se çështja e anëtarësimit drejt BE-së është e komplikuar, por thotë se me themelimin e Asociacionit “shtetet anëtare do të ishin më të gatshme të pranojnë aplikimin e Kosovës”.

“Nuk mund t’ju jap garanci të qind për qind, por atë që kam ndier është se shtetet anëtare do të jenë shumë më të gatshme të pranojnë këtë aplikim, të pyesin Komisionin, e të lëvizin në hapin tjetër që është dhënia e statusit të shtetit kandidat, nëse çështja të caktuara lëvizin disi edhe në dialog. Sipas kuptimit tonë, dialogu është dera nëpërmjet të cilës duhet të ecni për të shkuar drejt hapave të radhës. E hapi i radhës është statusi i shtetit kandidat. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka vullnet të mirë në Këshill dhe unanimitet me të cilin hapat e radhës mund të pranohen. Sërish, kjo kërkon hapa të caktuara nga ana e Kosovës”, ka thënë Szunyog.

Për draftstatutin e propozuar nga BE-ja, Szunyog ka thënë se janë përfshirë gjitha kërkesat e Kosovës aty dhe se mund të dërgohet për verifikim në Gjykatën Kushtetuese nëse është në përputhje me Kushtetutën. Ai e ka quajtur këtë drafstatut si ndihmë.

“Janë angazhuar avokatët më të mirë ndërkombëtarë e rajonalë, ekspertë në mbrojtje të pakicave, vetëqeverisjes lokale e tjera. Propozuam këtë tekst të caktuar. Mendojmë që është tekst i mirë. Por, të flasim në aspektin strikt, është proces i brendshëm i Kosovës”, ka thënë Szunyog, duke komentuar deklaratat e kryekuvendarit Glauk Konjufca, që kishte thënë se BE-ja s’ka kompetencë të propozojë draftstatut për Asociacionin.

Szunyog ka thënë se kishte pritur që progresi në dialog të ishte më i shpejt dhe më substancial. Por, ai ka thënë se gjatë mandatit sa është ambasador i BE-së në Kosovë ka pasur lëvizje. Ka përmendur marrëveshjen për targat, për energjinë si dhe Deklaratën për të pagjeturit.

Ambasadori i BE-së ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksi në Ohër në mars, janë ligjërisht të obligueshme. Ai thotë se këto janë bërë të obligueshme në momentin që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell doli në konferencë për media dhe i bëri zyrtare ato.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here