Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, foli pas fitores 1-0 kundër Letonisë në stadiumin “Air Albania”, duke e cilësuar takimin si një ndeshje të luftuar deri në fund.
“Fituam një ndeshje shumë të vështirë. Letonia është kundërshtar fizikisht i fortë, e tregoi edhe ndaj Serbisë ku mund të merrte barazim. Nëse nuk shënon golin e sigurisë, gjithmonë rrezikon”, tha tekniku brazilian.
Ai shtoi se Letonia krijon probleme sidomos në lojën ajrore:
“Është skuadër e rrezikshme në topat e lartë. Ndoshta Kumbulla mund të futej më përpara, por vendosa të pres pak. Po ashtu, hezituam të fusnim Brojën më herët, sepse rrezikonim ta tërhiqnim kundërshtarin në zonën tonë.”
Sylvinho vuri theksin edhe te vështirësitë e futbollit modern:
“Sot skuadrat mbrohen shumë mirë, është gjithnjë e më e vështirë të gjesh hapësira për të shënuar. Letonia luftoi deri në fund, por ne morëm tri pikë shumë të vlefshme dhe jemi ende fuqishëm në garë”, përfundoi strategu brazilian.