Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar arrestimin e eprorit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtic, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria Speciale, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Lidhur me këtë, Sinjali raportoi ekskluzivisht, me ç’rast, Bojan Jevtić, ishte zyrtar policor me gradë të lartë, që mbante njëkohësisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një prej strukturave të policisë në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas Sveçlës, Jevtic dyshohet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme spiunazhi, në shërbim të strukturave të sigurisë së Serbisë.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka lavdëruar bashkëpunimin mes institucioneve të sigurisë, duke e cilësuar këtë koordinim si thelbësor në luftimin e veprimtarive të rrezikshme dhe të paligjshme.
“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, ka shtuar ai.