Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.
Ajo, sipas tij, nuk përfshinë disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.
“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Udhëheqësit e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse ajo e ka mohuar përgjegjësinë.
Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për rastin, që implikon 45 persona.