Supremja liron të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

0
165

Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-s në bjeshkët e Deçanit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Lutfiu.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e pati dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn.

Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar ankesë mbrojtësit e Pajazitajt, me pretendimin se ka shkelje esenciale, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.

Ndërsa, prokuroria me parashtresë kishte propozuar që ankesa e mbrojtësve Kollçaku dhe Tahiri të refuzohet si e pabazuar ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Naser Pajatizaj u ngarkua me veprën penale “vrasje e rëndë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here