“SUPERPUNA” superfshesa e pastrimit të Kosovës!

0
319

Projekti i ‘Qeverisë’ i emërtuar “SUPERPUNA”, nuk ka të bëjë fare me hapjen e 10 mijë vendeve të reja të punës, por me mbetjen e dhjetramijëra vendeve vakante të punës në sektorin publik dhe privat, përfshirë këtu Shëndetësinë, Arsimin, Policinë e Kosovës, FSK-në, Zjarrëfikësit, etj.

Projekt i punëve të kota

Sipas projektit “SUPERPUNA”, të gjithë të rinjët prej moshës 18 deri në moshën 25 vjeçare mund të aplikojnë online për punë, me ç’rast Qeveria e Republikës së Kosovës si ndërmjetësuese mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve deri në lartësinë e pagës minimale 264 euro që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të subvencionojë këta të rinj!

Pragu i pagës maksimale prej 264 eurove e bënë jo serioz dhe aspak tërheqës për të rinjët projektin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

“Superpuna” do të kishte kuptim dhe do të bëhej tërheqës për të rinjët sikur paga minimale të ishte jo më pak se gjysma e pagës së një deputeti, e një zv.ministri në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e një këshilltari në Presidencë apo jo më pak se 1 mijë euro.

Projekti “SUPERPUNA” me 264 euro pagë mujore vërtetë është projekt i paparë dhe i padëgjuar në këtë kohë krize në Kosovën e pavarur dhe hapësirat ballkanike në përgjithësi! Një i ri me 264 euro pagë mujore, jo vetëm që nuk mund të mbijetojë, nuk i mjaftojnë as për shujta ditore dhe shpenzime të udhëtimeve e lërë më për mbulimin e shpenzimeve familjare!

Ky është super projekt për largimin e rinisë tonë sa më parë nga nga vendi i tyre i lindjes.

Kjo platformë e ‘Qeverisë’, jo vetëm që nuk e nxitë punësimin dhe as stimulon tregun e punës, e bën të kundërtën, e varfëron tregun e punës dhe zvogëlon numrin e të rinjëve në Kosovë.

Ngase nuk ka të rinjë që e ndryshojnë mendjen për të mos u larguar nga vendi për 264 euro!

Nëse vërtetë mendohet që aseti i së tashmes dhe potenciali i së ardhmes të ndalet në vendin tonë, atëherë duhet çasje më serioze dhe më pragmatike e ‘Qeverisë’ e jo një çasje kaq diskriminuese pa asnjë përspektivë për të nesërmen.

Punë e garantuar dhe e mbështetur nga ‘Qeveria’ konsiderohet ajo punë e cila garanton stabilitet financiar për një familje kosovare, sigurime shëndetësore dhe barazi financiare sikurse në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Me këtë “ofertë” të Qeverisë, jo që nuk do të mbulohen 10 mijë vende të punës nga të rinjët e moshave 18 deri në 25 vjeç, por do të zbrazen me dhjetramijëra vende të tjera pune në sektorin publik dhe privat. E ardhmja e afërt do ta dëshmojë se, “Superpuna” do të kthehet në “Superfshesa” e pastrimit të Kosovës nga të rinjët e saj.

Shkruan: Florim ZEQA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here