Emocionet e Superligës së Kosovës rikthehen këtë të diel me ndeshjet e xhiros së 28-të, ku dy përballje tejet interesante pritet të ngjallin interes të madh te tifozët, shkruan 04 Online.
Në Gjilan, skuadra vendase do të përballet me Llapin, në një takim që vjen me peshë të madhe për objektivat sezonale të të dyja ekipeve. Gjilani kërkon kthesën pas disa rezultateve të paqëndrueshme, ndërsa Llapi synon të mbajë ritmin drejt zonës evropiane.
Ndërkohë, në stadiumin “Liman Gegaj” të Malishevës, vendasit presin Dritën, lideren e kampionatit që është shumë pranë titullit të kampionit. Malisheva, që aktualisht ndodhet në pozitën e tretë, ka nevojë për pikë për të ruajtur vendin dhe për të mbetur në garë për Evropë.
Të dyja sfidat do të nisin në ora 15:00, dhe pritet të ofrojnë futboll cilësor, tension dhe shumë emocione. Superliga është në fazën vendimtare, dhe çdo pikë tashmë ka rëndësi jetike./04 Online