Super gripi H3N2 po përhapet si cunami – çka e bën ndryshe nga gripi i zakonshëm

0
94

Gjithnjë e më shumë po regjistrohen raste të infektimit me të ashtuquajturin super grip H3N2, një version i mutuar i gripit “të zakonshëm”. Ky variant po përhapet me shpejtësi dhe po shkakton rritje të ndjeshme të numrit të të sëmurëve. Ja si ta kuptoni për çfarë bëhet fjalë dhe cilat janë simptomat

Nëse ditët e fundit keni vënë re se shumë njerëz rreth jush janë të sëmurë, kjo nuk është rastësi. Varianti i ndryshuar i gripit A (H3N2), i cili në qershor ka kaluar shtatë mutacione dhe ka bërë që sezoni i gripit të nisë më herët në shumë vende, është aktualisht më ngjitës se llojet e tjera të gripit. Për këtë arsye pritet që deri në fund të sezonit të ketë më shumë raste infektimi dhe rritje të numrit të të sëmurëve.

Ky tip gripi fillimisht shkaktoi një shkallë të lartë sëmundshmërie në Australi dhe Japoni, e më pas edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të përhapjes së tij rrufe dhe aftësisë për të shmangur imunitetin e krijuar më herët, në Britani u quajt “super grip”, ndërsa efekti i tij u përshkrua si “flunami”, një aludim i drejtpërdrejtë për cunamin, për shkak të mënyrës së shpejtë të përhapjes. Gjatë përhapjes në Evropë, virusi ka arritur edhe në vendet e rajonit.

Situata në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreziku për sistemin shëndetësor

Mbretëria e Bashkuar aktualisht po përballet me një përhapje të shpejtë të të ashtuquajturit “super grip”, i cili ka çuar në një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve të shtruar në spital dhe ka ushtruar presion shtesë mbi sistemin shëndetësor, pikërisht në prag të festave të Krishtlindjeve.

Ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një variant veçanërisht agresiv të gripit H3N2, i cili ka mutuar dhe është bërë më ngjitës se më parë. Për shkak të tubimeve gjatë festave, ekziston frika se virusi mund të përhapet edhe më shpejt, duke e rënduar më tej kapacitetin tashmë të mbingarkuar të spitaleve.

Pediatrit paralajmërojnë gjithashtu se, edhe pse shumë rrallë, kjo variantë e gripit mund të jetë e rrezikshme edhe për fëmijë që përndryshe janë të shëndetshëm, kryesisht për shkak të komplikimeve serioze si sepsa.

Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave mbi 65 vjeç, të sëmurëve kronikë dhe kujdestarëve të tyre, që të vaksinohen kundër gripit sezonal, pasi vaksina ende ul ndjeshëm rrezikun e simptomave të rënda dhe shtrimit në spital, transmeton Telegrafi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here