Sulmuesi shqiptar Armando Broja ka shprehur kënaqësinë për rikthimin në formë te Burnley, pas një periudhe të gjatë pa arritur të kontribuojë me gola apo asistime.
Broja ka qenë ndër lojtarët më të mirë të Burnley në dy ndeshjet e fundit, ku ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist, duke treguar rritje të dukshme në lojën e tij, ndërsa po përgatitet për përballjen e radhës ndaj Brightonit.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Burnley, sulmuesi ka theksuar se puna e madhe në stërvitje ka qenë kyçe për rikthimin e tij në nivelin e duhur fizik.
“Kur kam luajtur për herë të parë, është e lodhshme sepse e di sesa kërkuese është Liga Premier. është shumë e vështirë për çdo lojtar, është kampionat shumë fizik dhe është shumë e vështirë që të mbash ritmin në çdo ndeshje që të kesh vazhdueshmëri”, ka deklaruar Broja.
Ai ka shtuar se i është dashur kohë për të ndërtuar formën fizike optimale.
“Prandaj mora pak kohë që të ndërtohesha ashtu si duhej fizikisht, u stërvita çdo ditë, çdo javë, që të bëhesha më i fuqishëm dhe jam edhe më i shpejtë tani.”
Ndër të tjera, Broja ka falënderuar trajnerin për besimin e dhënë, duke theksuar se aktivizimi i rregullt e ka ndihmuar shumë edhe në aspektin psikologjik.
“Trajneri më ka hedhur në fushë dhe kjo më ka dhënë shumë besim edhe nga aspekti psikologjik tani, jam shumë më mirë sesa më parë. Jam gati edhe për ndeshjen tjetër me Brighton, jam stili i sulmuesit që lumturohem kur shënoj, si çdo kush tjetër, por nuk dua vetëm këtë.”
Sulmuesi shqiptar ka nënvizuar se dëshiron të kontribuojë në mënyra të ndryshme në lojën e skuadrës, jo vetëm me gola.
“Dua të marrë pjesë në ndeshje, të driblojë, të krijojë shanse për të tjerët dhe për veten, por të jem gjithmonë aty duke luajtur futboll dhe jo vetëm që të pres shansin për të shënuar. Tani jam rritur shumë në krahasim me më parë dhe ndihem më mirë”, ka përfunduar Broja.
Forma e mirë e Brojës vjen në një moment të rëndësishëm, pasi Kombëtarja e Shqipërisë në muajin mars do të zhvillojë ndeshjet e play-offit për Kampionatin Botëror 2026.













































