Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Rahovec, Prokuroria Themelore në Gjakovë tashmë ka nisur hetimet ndaj një 20-vjeçari.
Sinjali mëson se i riu po dyshohet se e ka abuzuar me një vajzë të moshës 14-vjeçare, të cilën e ka sulmuar seksualisht në rrethana akoma të panjohura.
E mitura ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë, në prani të babait të saj, i cili po ashtu është deklaruar si dëshmitar i rastit.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.