Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, incidente këto që eskalojnë edhe në përleshje brutale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku një person ka përfunduar në spital me lëndime të rënda, për shkak se dyshohet që ishte cak i një sulmi fizik.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren, kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër me plagë në fytyrë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Polici, ku një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën, sipas të cilit derisa po ecte në rrugë, dy persona e kanë sulmuar fizikisht, duke i kërkuar cigare.
Të njëjtat burime thonë se njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarve, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.