Sulmi me thikë në Gjakovë, në QKUK tregojnë gjendjen shëndetësore të plagosurit

0
54

Personi i therur me thikë në Gjakovë është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Këtë e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Emergjencë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Agron Çitaku.

“Pacienti është trajtuar, është në trajtim mëtutjeshëm në Kirurgji torakale. Stabil është, për jetë nuk është në rrezik”, ka thënë Çitaku.

Sot u raportua se një person është sulmuar me mjet të mprehtë në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë.

Viktima është dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin e Gjakovës. Mjeku kujdestar në Emergjencë të Spitalit në Gjakovë, Jeton Vorfi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se viktima është therur me thikë në disa vende dhe menjëherë është dërguar për trajtim në QKUK.

“Ka pas therrje me thikë në disa vende të trupit, ndër to edhe pjesën e gjoksit. Jemi detyru me çu në Kirurgji torakale në Qendër Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm. Është atje, menjëherë e kemi dërgu prej këtu”, ka treguar Vorfi për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar rastin e therjes me thikë për Telegrafin, duke thënë se “Rreth orës 10:25 viktima mashkull i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor pasi ishte sulmuar nga i dyshuari po ashtu i moshës madhore (dyshohet me mjet të mprehtë) në rrugën ‘Yll Morina’ në Gjakovë”, tha Elezaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here