Sulmet ndaj mjekëve e personelit shëndetësorë janë bërë rutinë, ku vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur tri sulme fizike, i tha Ekonomia Online kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu.
Sipas tij, ka shumë presion për të marr shërbime shëndetësore, por që ky nuk është faji i mjekëve. Megjithatë Sejdiu thekson se ka mungesë të mjekëve edhe të mjeteve shëndetësore.
“Shqetësimi më i madh është se ka hy në rutinë edhe kur të hynë një gjë në rutinë duket normale. Ne si organizatë profesionale që i mbrojmë të drejtat e mjekëve dhe njëkohësisht edhe e mbikëqyrim punën e tyre profesionale në të vërtetë jemi në një pozitë të keqe se asgjë tjetër nuk po mundemi me bë përveç me reaguar edhe me i shty disa reforma që duhet bërë të cilat sipas të gjitha gjasave janë duke shkuar në vesh të shurdhër”.
“Presioni i madh për të marr shërbime shëndetësore kualitative po ashtu edhe me kohë nga ana e personelit, në anën tjetër dështimi total i sistemit shëndetësor për të siguruar mjetet, kushtet punës që personeli të jep shërbime që i meritojnë pacientët atëherë edhe fillon konflikti. Ku është faji i mjekut për mbingarkesë, sepse nuk ka mjek. Mjek pa punë ka, po nuk ka punë në institucione. Ku është faji i mjekut që nuk ka mjete, mjetet sigurohen prej atyre, normalisht nëse nuk ka mjete atëherë automatikisht edhe shërbimi nuk mund të jetë me kohë. Prandaj janë listat e pritjes, në ambullanta specialistike. Nëse dështon trajtimi apo mospasja e mjaftueshme e mjeteve e të barnave, ku mjeku ligjërisht nuk guxon, nuk ka të drejtë që t’i dërgoj të blejnë materiale por është i detyruar për me kry një shërbim”.
Sejdiu thotë se ka pas raste kur kolegët e tij janë sulmuar edhe me armë të ftohta e kërcënime me armë zjarri. Por që sipas tij, personat që kanë sulmuar janë liruar në procedurë të rregullt.
“Sulmet vetëm se janë shpeshtuar, vetëm gjatë këtij viti janë tre mjek të sulmuar fizikisht. Çka është e keqja që këto kërcënime dhe sulme janë ka ndodhin edhe jashtë institucioneve shëndetësore. Unë habitem edhe me kolegët tanë që nuk vjen një moment që të ndërprejnë të gjitha shërbimet deri sa nuk krijohen kushtet e punës”.
“Kem pas disa raste kur janë sulmuar edhe me armë të ftohta, me sopata, me thikë, kërcënim me armë zjarri edhe çka ka ndodh, ka ndodh që e kanë lëshuar në procedurë të rregullt. Kurse ai ka tentuar ta lëndoj, apo tentim vrasje ndaj personelit shëndetësor dhe çka ka ndodh asgjë”.
Përderisa Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, tha se kohëve të fundit ka pasur më shumë raste kur janë sulmuar mjekët e punëtorët shëndetësorë.
Ai thekson sulmi është vepër penale, e që më së shumti mund të dënohet deri në 8 vjet burg.
“Natyrisht që është vepër penale edhe sulmi ndaj një qytetari të rëndomtë mirëpo kur kemi të bëjmë me personat zyrtarë të cilët përfaqësojnë interesat e shtetit, segmente të caktuara, natyrisht se dënimet variojnë sipas Kodit Penal, prej veprës penale nga dënimi me gjobë i cili është dënimi më i lehtë e i cili në praktik e kemi pa në të kaluarën që rastet ka përfunduar dënimet me gjobë dhe dënimet më të rënda që mund të variojnë nga kualifikimi i veprës penale nga 3 muaj deri në 5 vite, nga 6 muaj deri në 8 vjet është maksimalja e shqiptimit të dënimit me burgim”.
Nrecaj thotë se edhe përkundër që ligjet në fuqi janë të qarta, ai personalisht nuk ka hasur në dënim maksimal të sulmuesve.
“Natyrisht se procedura e një vepre të tillë, fillimisht raportohet në Polici dhe nga ato çka mbledh Policia atëherë është edhe prokurori i rastit, i cili duhet t’i caktohet rasti dhe gjithë procesi varet nga mbledhja e provave dhe kualifikimi i aktakuzës për veprën penale. Mënyra e mbrojtjes së prokurorit, prokurori në këtë rast e ka rolin e ndjekësit ai është, i cili bënë ndjekjen penale ndaj personave të cilët ushtrojnë dhunë ose kanë bërë vepër penale”.
“Gjykata është ajo e cila e vlerëson mbi bazën e argumentit të provave dhe argumentin bindës të cilin duhet ta ketë prokuroria, për raste të tilla. Fatkeqësisht nuk kemi arsye ku vërtetë këto dispozita ligjore të Kodit Penal, unë personalisht nuk kam pa ndonjë rast kur këto dispozita janë zbatuar kur është zbatuar dënimi maksimal i këtyre veprave penale”.