Suharekë: Recidivisti i dhunës në familje përfundon sërish në Polici, ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes

0
152
Foto: Ilustrim

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

E në shumë raste të dyshuarit janë recidivistë të dhunës, por që si pasojë e dorës së butë të shtetit në marrjen e masave të sigurisë dhe shqiptimin e dënimeve, ata i përsërisin këto vepra, e madje në shumë raste duke përfunduar edhe tragjikisht.

Në Polici dje kanë përfunduar edhe një çift nga Suhareka, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 40-vjeçari është emër i njohur për organet e Drejtësisë, pasi që dyshohet se e ka përsëritur këtë vepër.

Gruaja e cila ka denoncuar rastin në Polici ka deklaruar se i shoqi ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj mbrëmë, kur ishte kthyer në gjendje të dehur në shtëpinë e tyre.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, edhe pse fillimisht kishte ikur nga shtëpia.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here