Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën “Maksut Kuqi” në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici për të disatën herë me radhë për shkak të problemeve të vazhdueshme që kanë me njëri-tjetrin dhe nuk po arrijnë t’i zgjidhin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur dje dhe nisi pas një zënke, e cila pasoi me dhunë fizike si në shumë raste të tjera, kur çifti janë rrahur me njëri-tjetrin.
Ngjarja që ndodhi të shtunën u denoncua nga gruaja, e cila bashkë me dy djemtë e saj, kërkuan ndihmë në Polici, ku edhe rrëfeu dhunën dhe telashet me bashkëshortin e saj.
Posa rasti është raportuar në Polici, një njësi policore e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.