Afërsisht gjysma e rasteve me tension të lartë gjatë moshës së mesme dhe më të vjetër janë në çift, që do të thotë se nëse njëri nga bashkëshortët ka tension të lartë, edhe partneri tjetër e ka gjithashtu, raporton CNN.
Në mesin e çifteve në katër vende Kinë, Angli, Indi dhe SHBA, gratë që ishin të martuara me burra me tension të lartë të gjakut kishin më shumë gjasa të kishin edhe vetë hipertension, sesa ato gra burrat e të cilave nuk kishin tension të lartë gjaku, thuhet në një studim, të botuar të mërkurën në “Journal of the American Heart Association”.
Dhe burrat që kishin gra me hipertension kishin më shumë gjasa të kishin hipertension krahasuar me ata burra, gratë e të cilëve nuk kishin hipertension.
“Studimi ynë është i pari që shqyrton hipertensionin brenda çifteve si nga vendet me të ardhura të larta, ashtu edhe nga ato të mesme, duke përdorur të dhëna kombëtare dhe për këtë arsye duke ofruar një perspektivë krahasimi. Ky është gjithashtu studimi më i madh mbi këtë temë deri tani”, ka thënë autori i studimit Chihua Li nga Universiteti i Michiganit.
Të dhënat nga Shtetet e Bashkuara dhe Angli përfshinin të rriturit 50 vjeç e lartë dhe bashkëshortët e tyre.
Të dhënat nga Kina dhe India përfshinin të rriturit 45 vjeç e lartë dhe bashkëshortët e tyre.
Për çdo çift, mesatarja e tri matjeve të tensionit të gjakut u përdor për të vlerësuar tensionin e përgjithshëm sistolik të gjakut, numrin më të lartë në një matje dhe tensionin diastolik të gjakut, që është numri i fundit.
Të dhënat treguan se 47.1% e çifteve në Angli kishin hipertension, 37.9% në Shtetet e Bashkuara, 20.8% në Kinë dhe 19.8% në Indi.
Ata zbuluan se hipertensioni individual ishte më i ulët te gratë sesa te burrat në të katër vendet, por nëse dikush që jetonte në Kinë ose Indi kishte hipertension, kishte shumë gjasa që edhe bashkëshorti i tyre të ishte me hipertension, kjo krahasuar me çiftet që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe Angli.
Në përgjithësi, studimi thotë se hipertensioni i ngjashëm midis çifteve në vende të ndryshme paraqet “një mundësi premtuese” që çiftet të bëjnë planifikimin për të menaxhuar së bashku sëmundjen, të bëjnë ushtrime së bashku ose ushqim të shëndetshëm.
“Studimi ynë thekson rëndësinë e bisedave në çift të lidhura me shëndetin me partnerët dhe përdorimin e ndikimit reciprok dhe qasjeve të përbashkëta për një menaxhim më të mirë të hipertensionit”, ka thënë Li.
Çiftet që marrin vendimet së bashku rreth menaxhimit të gjendjes shëndetësore do të thotë se kanë më shumë gjasa të arrijnë rezultate të mira.
Li gjithashtu ka thënë se kjo ndodh me edhe shumë gjëra të tjera.
“Nëse dikush pretendon ta lë duhanin dhe bashkëshorti pi duhan, ky është ndoshta skenari më sfidues, sepse tani janë me të vërtetë dy raste të një zakoni të keq që po përforcojnë njëri-tjetrin. Hipertensioni nuk është një sjellje është një gjendje mjekësore, por shumë shkaqe të zakonshme të tensionit të lartë të gjakut janë sjellje, si shembull kontrolli i ushqimit”, ka thënë Le.