Një studim revolucionar nga Izraeli ka sfiduar perceptimet e zakonshme mbi natyrën “individualiste” të maceve. Hulumtuesit e Institutit “Tech4Animals” kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për të analizuar shprehjet e fytyrës së maceve, duke zbuluar një dimension të ri të komunikimit mes tyre, shkruan 04 Online.
“Kemi zbuluar se macet nuk janë aq të vetmuara sa mendohet. Në fakt, ato përdorin shprehjet e fytyrës për të ndarë emocione, për të kritikuar ose për t’u lidhur me njëra-tjetrën,” thotë profesoresha Anna Samansky, autore kryesore e këtij studimi.
Rezultatet treguan se macet ndryshojnë mimikat në varësi të situatave sociale: gjatë ndërveprimeve pozitive ato shfaqin shprehje të hapura dhe relaksuese, ndërsa në momente negative, fytyrat e tyre pasqyrojnë tension dhe ato preferojnë të izolohen.
Ky zbulim jo vetëm që ndihmon në kuptimin më të thellë të sjelljes së maceve, por gjithashtu u ofron pronarëve një mundësi të artë për të interpretuar emocionet e tyre më saktë. “Tani, pronarët e maceve mund të kuptojnë më mirë gjuhën emocionale të këtyre krijesave enigmatike,” përfundon Samansky.
Ky studim hap një horizont të ri për lidhjen mes njeriut dhe kafshëve, duke treguar se edhe një specie e konsideruar “e rezervuar” mund të ketë një botë të pasur emocionale që mezi pret të kuptohet./04 Online