Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm se pijet e ëmbëlsuara me sheqer, si ato me gaz, nuk janë ndër zgjedhjet më të shëndetshme ushqimore. Tani, një hulumtim i ri ka zbuluar një rrezik të mundshëm tjetër që lidhet me këto pije të ëmbla: kancerin e zgavrës së gojës.
Studimi, i publikuar muajin e kaluar në revistën JAMA Otolaryngology–Head & Neck Surgery, zbuloi një lidhje mes konsumit më të lartë të pijeve të ëmbëlsuara me sheqer dhe rrezikut më të lartë për zhvillimin e kancerit të zgavrës së gojës (OCC) te gratë.
Studiuesit analizuan të dhënat e 162,602 grave, prej të cilave 124 zhvilluan OCC gjatë periudhës së vëzhgimit.
Ata zbuluan se gratë që konsumonin të paktën një pije të ëmbëlsuar me sheqer në javë kishin një rrezik 4.87 herë më të lartë për OCC, krahasuar me ato që konsumonin më pak se një pije të tillë në muaj.
Ky rrezik i shtuar mbetej i pranishëm edhe nëse gratë nuk kishin sjellje të tjera të dëmshme si pirja e duhanit apo konsumimi i alkoolit. Në fakt, te gratë që nuk përdornin as duhan as alkool, konsumimi i të paktën një pije të ëmbëlsuar çdo ditë lidhej me një rrezik 5.46 herë më të lartë për zhvillimin e OCC-së, krahasuar me ato që pinin më pak se një në muaj.
OCC përfshin kanceret që zhvillohen në pjesë të ndryshme të gojës, si gjuha, mishrat e dhëmbëve, faqet e brendshme apo bajamet. Kjo formë kanceri është më e zakonshme tek burrat dhe zakonisht lidhet me pirjen e alkoolit ose përdorimin e produkteve të duhanit. Në SHBA, pritet që në vitin 2025 të ketë rreth 60,000 raste të reja me kancer të zgavrës së gojës dhe të orofaringut (zona e fytit të mesëm).
Megjithatë, në mbarë botën, ekspertët po vërejnë një rritje të rasteve me kancer oral te gratë jo-duhanpirëse, tha për Health autorja e studimit, dr. Brittany Barber, profesoreshë në Departamentin e Otolaringologjisë në Universitetin e Uashingtonit.
Sipas saj, ky studim mund të shërbejë si një pikënisje për hulumtime të tjera që do të shqyrtojnë më thellë rolin e dietës dhe zakoneve ushqimore në zhvillimin e këtij lloj kanceri. / Health