Pas dekadash dyshimesh dhe kritikash, veza më në fund reabilitohet nga shkenca. Një studim i Universitetit të Australisë së Jugut (UniSA), i publikuar në The American Journal of Clinical Nutrition, rrëzon mitin e vjetër se konsumi i vezëve dëmton zemrën.
Sipas studiuesve, dy vezë në ditë, brenda një diete të varfër në yndyrna të ngopura, jo vetëm që nuk rrisin kolesterolin e keq (LDL), por ndihmojnë në uljen e tij, duke kontribuar në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
“Vezët nuk janë problemi. Problemi janë ushqimet që shpesh i shoqërojnë ato në pjatë, si sallami, proshuta apo salsiçet, të cilat janë të pasura me yndyrna të ngopura,” shpjegon profesori John Buckley, drejtuesi i studimit.
Ai thotë se vezët janë të pasura me kolesterol, por përmbajnë shumë pak yndyrna të ngopura, që janë vërtet përgjegjëse për rritjen e kolesterolit të keq.
Në këtë studim, shkencëtarët ndanë ndikimin e kolesterolit të vezës nga ai i yndyrnave të ngopura, duke zbuluar se kolesteroli i vezës, kur konsumohet në një dietë të kontrolluar, nuk shkakton probleme për zemrën.
“Janë yndyrnat e ngopura, jo kolesteroli i vezës, ato që nxisin rritjen e LDL-së,” thekson profesor Buckley.
Mesazhi i shkencëtarëve është i thjeshtë: Në mëngjesin tuaj të radhës, mos kini frikë nga vezët. Kujdesuni më mirë për copën shtesë të proshutës apo salsiçes që mund ta shoqërojë. Pikërisht këto janë më të dëmshme për zemrën.
Ky zbulim hedh poshtë një nga mitet më të qëndrueshme të ushqyerjes moderne dhe sjell lehtësim për miliona adhurues të vezëve në mbarë botën.