Konsumimi i shpeshtë i patateve të skuqura lidhet me një rrezik më të lartë për të pasur diabet të tipit 2, krahasuar me pjekjen, zierjen dhe shtypjen e tyre.
Një studim i publikuar në British Medical Journal thotë se nëse hani patate të skuqura tri herë në javë rrisni mundësinë me 20% dhe me 27% nëse arrini në pesë herë në javë.
Patatet janë ushqimi i tretë më i konsumuar në botë pas orizit dhe grurit. Ato vetë nuk përbëjnë rrezik për shëndetin por skuqja dhe më pas konsumimi, rrit gjasat për diabet të tipit 2.
Shkencëtarët studiuan lidhjen mes konsumimit të patateve dhe diabetit të tipit 2. Nëse dikush ha patate të skuqura tri herë në javë, ka 20% më shumë mundësi për të pasur këtë sëmundje, por ata që hanë patate me këtë shpeshtësi por duke i zier, pjekur ose shtypur, mundësia është vetëm 5%.
“Përmbajtja e lartë e niseshtesë te patatet sjell tregues të lartë glicemie dhe e kombinuar me humbjen e lëndëve ushqyese dhe rreziqeve të shëndetit nga metodat e ndryshme të pjekjes, mund të rezultojë në pasoja jo të mira”, thotë studimi.
Zëvendësimi i patateve me drithërat ul me 8% rrezikun e diabetit dhe nëse drithërat konsumohen në vend të patateve të skuqura, risku bie me 19%,
“Patatet mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme, por mënyra si i gatuajmë përbën ndryshimin. Patatet e ziera, të pjekura ose të shtypura kanë pak yndyrë dhe janë burim fibrash, vitamine C dhe kaliumi. Kur i skuqim, sidomos në sasi të mëdha dhe me kripë të shtuar, nuk janë më të shëndetshme për shkak të yndyrës, kripës dhe përmbajtjes kalorike që ka më shumë gjasa për të ndikuar në shtimin në peshë dhe diabetin e tipit 2”, thotë Kawther Hashem nga Queen Mary University of London.
Por studimi zbuloi edhe se zëvendësimi i patates me orizin e bardhë rrit riskun për këtë tip diabeti.
“Ky studim përforcon mesazhin e thjeshtë që është t’i shijoni patatet, por jo të jenë të skuqurat opsioni parësor. Kur është e mundur zgjidhni drithëra si orizi kaf, bullguri, makaronat integrale dhe patatja e ëmbël me lëkurë që janë më të shëndetshme dhe mbrojnë shëndetin në planin afatgjatë”, vijon Hashem.
Studiuesit theksuan se rezultatet vijnë nga vëzhgimi dhe nuk provojnë lidhjen shkak-pasojë mes patateve dhe diabetit të tipit 2.