Një studim fizibiliteti i realizuar nga eksperti gjerman Thomas Weismann, flet për probleme të tjera nga ato çfarë çdo ditë diskutohen për shëndetësinë publike në Kosovë. Të dhënat e studimit tregojnë se Kosova në këtë sektor ka të punësuar me shumë mjekë e infermierë sesa janë nevojat. Eksperti gjerman u ofron përgjigje edhe thirrjeve të vazhdueshme për ngritjen e spitaleve të reja. Sipas statistikave të studimit të tij, afro 1400 shtretër në spitale publike janë të pashfrytëzueshme.
Një pasqyrë krejt tjetër për shëndetësinë publike në Kosovë, e ofron Studimi i Fizibilitetit i Thomas Weismannit, ekspert gjerman për ekonomi shëndetësore.
Përderisa institucionet shëndetësore në Kosovë vazhdimisht ankohen për mungesë të mjekëve e infermierëve, studimi i mbështetur nga BE-ja e thotë të kundërtën. Në shumicën e institucioneve spitalore publike, sipas studimit, Kosova ka staf më shumë se sa duhet.
Të dhënat e spitaleve në Kosovë eksperti Weismann i krahason me standardet ndërkombëtare, për të arritur te përfundimet e studimit.
“Në spitale janë të punësuar gjithsej 1.369 mjekë. Për sa i përket ngarkesës së punës, për trajtimin e pacientëve ishin të nevojshëm 1.119,8 mjekë”, thuhet në studim.
Mbështetur në studim, në QKUK janë 111 mjekë më shumë sesa duhet, në Gjilan 66 dhe në Mitrovicë 38. Ndryshe nga ta, në Vushtrri është evidentuare mungesë për 17 mjekë.
SHSKUK-ja vazhdimisht është ankuar për mungesë infermieresh. Por, studimi thotë që në të gjithë Kosovën, punojnë gati 1500 infermierë më shumë sesa janë nevojat për këtë kuadër.
“Në spitale janë punësuar gjithsej 3830 infermierë dhe mami. Për sa i përket ngarkesës së punës, për trajtimin e pacientëve janë të nevojshëm 2.323,7 infermierë dhe mami”, thuhet në studim.
Studimi flet edhe për mosshfrytëzimin e kapaciteteve të akomodimit në spitalet publike. Në të është gjetur se shfrytëzueshmëria e shtretërve është rreth 35 për qind më e ulët sesa mesatarja e shfrytëzimit. Është kjo statistikë, ani se Kosova ka shumë më pak shtretër për 1000 banorë se secili shtet tjetër.
“Ishte mbresëlënëse se numri i shtretërve në Kosovë ishte 2,2/1000 banorë, ndërsa mesatarja e OECD ishte 5,3/1000 banorë në vitin 2017. Pavarësisht numrit të ulët të kapaciteteve spitalore, shkalla e zënies së shtretërve në shumicën e spitaleve ishte rreth 50%”, vazhdon studimi.
Studimi thotë që në krejt Kosovën nuk shfrytëzohen saktësisht 1400 shtretër.
“Nëse numri i rasteve të spitalizuara nuk do të rritej dukshëm, QKUK-ja do të merrej me 1.309 shtretër në vend të 2.005 shtretërve, dhe numri i përgjithshëm i nevojshëm i shtretërve në spitalet publike do të ishte 2.605 shtretër në vend të 4.005 shtretërve”, thuhet aty.
Kundërshtia mes numrit me të ulët të shtretërve dhe shkallës së ulët të shfrytëzueshmerisë së tyre, sipas studimit, lidhet me numrin e madh të pacientëve kosovarë që marrin shërbime jashtë vendit.
“Bazuar në një shumë të vlerësuar prej 20 milionë eurosh, të cilat janë shpenzuar nga pacientët për trajtime jashtë vendit, dhe kostot e vlerësuara prej 3,000 eurosh për trajtim, gjithsej 6,667 pacientë në vit janë trajtuar jashtë vendit”, thuhet në studim.
Ky studim nxjerr në pah edhe shumë problematika të tjera në shëndetësinë publike. Për shkak të përmbajtjes voluminoze të këtij dokumenti, KOHA do ta sjellë atë në disa pjesë.