Studimi: Çdo vit i kaluar në shkollë apo universitet e rrit jetëgjatësinë

0
219

Studimi i parë sistematik që e lidh drejtpërdrejt arsimin me rritjen e jetëgjatësisë sugjeron se çdo vit i kaluar në shkollë ose universitet e rrit jetëgjatësinë, ndërkohë që mosndjekja e shkollës paraqet rreziqe të ngjashme me pirjen e duhanit ose pirjen e madhe të alkoolit. Hulumtimi i publikuar në revistën Lancet Public Health, duke përdorur të dhëna nga vendet e industrializuara si Britania e Madhe dhe SHBA, si dhe vende në zhvillim si Kina dhe Brazili, tregon një reduktim prej 2% të rrezikut të vdekshmërisë së një të rrituri për çdo vit me kohë të plotë arsimimi.

Të kompletuarit e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë barazohet me përfitimet e një diete të shëndetshme gjatë gjithë jetës, duke e reduktuar rrezikun e vdekjes me 34% krahasuar me ata pa arsim formal. Në të kundërt, mosvijimi i shkollës krahasohet me rreziqet shëndetësore që lidhen me pirjen e tepërt të alkoolit ose pirjen e duhanit.

Studimi i lartcekur i përforcon përpjekjet në Angli për të promovuar vijueshmërinë e shkollës, duke e vënë theksin tek korrelacioni midis vijiueshmërisë së shkollës dhe shëndetit. Studimi sugjeron gjithashtu se rritja e moshës së përfundimit të shkollës dhe regjistrimit në arsimin e lartë mund të kontribuojnë në zgjatjen e jetëgjatësisë.

Ndërkohë që ndikimi pozitiv i arsimit në jetëgjatësinë është pranuar prej kohësh, ky studim, i kryer nga akademikë në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU) dhe Universitetin e Uashingtonit në Seattle, është i pari që përcakton numrin e viteve të arsimit dhe lidhjet e tij me uljen e vdekshmërisë. Pavarësisht lavdërimeve për hulumtimin, disa paralajmërojnë se të dhënat e marrura parasysh në të kaluarën mund të ndryshojnë, duke marrë parasysh zgjerimet e fundit në arsimin e lartë dhe ndryshimin e faktorëve shoqërorë.

Studiuesit, të mbështetur nga fondi i kërkimit i qeverisë norvegjeze dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates, argumentojnë se meta-analiza e tyre ofron prova bindëse për rritjen e investimeve në arsim për të reduktuar pabarazitë në shkallën globale të vdekjeve. Analiza tregon përmirësime të ngjashme në jetëgjatësi në vendet e pasura dhe të varfra, pavarësisht nga gjinia, klasa sociale dhe demografia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here