Studim: 5 minuta më shumë ushtrime dhe 30 minuta më pak ulur mund të ndihmojnë miliona njerëz të jetojnë më gjatë

0
61

Pesë minuta ushtrime dhe gjysmë ore më pak ulur cdo ditë mund t’i ndihmojë miliona njerëz të jetojnë më gjatë, shkruan The Guardian duke u bazuar në një studim për përfitimet potencialisht të mëdha të popullsinë nga ndryshimet edhe më të vogla në stilin e jetës.

Deri më tani, provat në lidhje me uljen e numrit të vdekjeve të parakohshme supozonin se të gjithë duhet të përmbushin objektiva specifike, duke anashkaluar anët pozitive të rritjeve të vogla të aktivitetit fizik.

Aktiviteti fizik me intensitet të moderuar, siç është ecja e shpejtë për pesë minuta shtesë në ditë, shoqërohej me një ulje të llogaritur prej 10% të vdekjeve, zbuloi studimi i 135,000 njerëzve nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Norvegjia dhe Suedia.

Studiuesit e udhëhequr nga Shkolla Norvegjeze e Shkencave Sportive zbuluan gjithashtu se zvogëlimi i kohës së ulur me 30 minuta në ditë shoqërohej me një ulje prej rreth 7% të të gjitha vdekjeve.

Përfitimi më i madh u pa nëse 20% e popullsisë më pak aktive e rriste aktivitetin e tyre me pesë minuta çdo ditë. Gjetjet u botuan në Lancet.

Autorët theksuan se, ndërsa gjetjet nuk duhet të përdoren si këshilla personale, siç janë rekomandimet specifike për ushtrime fizike për individët, ato treguan përfitimet potencialisht të mëdha për popullatën në tërësi.

Profesori Aiden Doherty, i Departamentit të Shëndetit të Popullsisë në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se analiza “e shkëlqyer” ishte “një hap përpara” nga provat ekzistuese.

Ndërkohë, një studim i dytë, i botuar në revistën eClinicalMedicine, zbuloi se kur kombinohen, përmirësimet e vogla në gjumë, aktivitet fizik dhe dietë ishin të lidhura me një jetë më të gjatë.

Për shembull, pesë minuta shtesë gjumë, dy minuta aktivitet fizik – siç është ecja e shpejtë ose ngjitja e shkallëve – dhe një gjysmë porcioni shtesë me perime në ditë mund të çojnë në një vit shtesë jetë për ata me gjumin, aktivitetin fizik dhe zakonet më të këqija dietike.

Ekspertët e udhëhequr nga Universiteti i Sidneit mblodhën informacion mbi nivelet e aktivitetit, dietës dhe gjumit të pothuajse 60,000 personave që morën pjesë në studimin e UK Biobank.

Krahasuar me njerëzit me gjumin, aktivitetin fizik dhe zakonet më të këqija dietike, studimi sugjeroi që kombinimi optimal i këtyre sjelljeve – shtatë deri në tetë orë gjumë në ditë, më shumë se 40 minuta aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm në ditë dhe një dietë e shëndetshme – ishte i lidhur me një jetëgjatësi pothuajse një dekadë më të madhe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here